“Me ceremoninë e organizuar sot nga MASH, ne dëshirojmë
të shënojmë realizimin e suksesshëm të një nisme
shumë të rëndësishme në arsim, atë të Maturës
Shtetërore.
Kjo nismë u lind pas skandaleve të vjeshtës 2005 në pranimet
në shkollat e larta, u orientua nga nevojat e hershme e të shumëllojshme
të mbetura të papërmbushura në Arsimin e Mesëm dhe
u mbështet në modelet e arrira evropiane të përshtatura
për rrethanat tona.
Por le ta kundrojmë këtë institucion të ri në një
plan më të gjerë, në atë te përpjekjes së
Qeverisë për të kthyer besimin e publikut në instancat
shtetërore, si organe që veprojnë në bazë të
ligjit e me drejtësi.
Ne kryqëzatën shumë-frontëshe të Qeverisë kundër
korrupsionit, këtij gërryesi të institucioneve publike dhe
i besimit në to, ka arritje e suksese të ndryshme. Por diçka
duhet vërejtur që në fillim: nëse korrupsioni ndodh, bie
fjala, ne dogana atëherë dëmi për shtetin e shoqërinë,
është ne radhë të parë financiar. Nëse ndodh
në arsim dëmi është në radhë të parë
moral dhe injektohet tek brezi i të rinjve. Kur një maturant bëhet
student, pastaj diplomant si jurist a mësues përmes hileve, nuk
duhet të presim që në punën e prokurorit, të gjykatësit
apo në atë të edukatorit ai t'i përmbahet etikës
së domosdoshme të profesionit. Matura Shtetërore realizoi pikërisht
këtë: evitoi parimisht e praktikisht çdo mundësi të
korruptimit të rezultatit individual, në këtë pjesë
delikate, ku puqet Arsimi i Mesëm dhe ai i Lartë. Me maturën
u ngrit një sistem i shëndoshë e i bazuar në parimet morale
bazë të shoqërisë; një sistem që orientohet
nga merita individuale, që e mbron dhe e nxit atë.
Kemi pasur plot raste ku fëmijët e prindërve me influencë,
pasi janë te kamur apo me ofiqe, disa prej tyre te njohur të mi,
janë vlerësuar nga matura 1-2 nota më poshtë se vlerësimi
shkollor. Siç ka patur edhe disa raste që nxënës nga
familje të thjeshta të vlerësohen 2-3 nota më lartë
se shkolla, kjo e arritur pa kopjim. Krahas nxjerrjes në pah të
problemit të diferencimit të padrejtë në shkollat tona,
matura gjithashtu vendos qartë drejtësinë sociale.
Në planin arsimor, ne kemi instaluar një hallkë, e cila nxënësin
dhe mësuesin e shkollës së mesme që nga viti i parë,
i vë realisht në nxitje për të punuar, duke ju larguar
notave fiktive. Këto të fundit mbeten të pavlera përballë
kutit objektiv e neutral të maturës. Gjithashtu me një notë
të standardizuar në rang Republike dhe me 30.000 maturantë
të vlerësuar me të, ne kemi siguruar një bankë te
dhënash të mrekullueshme për çdo prefekturë e për
çdo shkollë. Mbi këtë bazë, politikat e ndërhyrjet
tona nuk do të bëhen qorrazi apo toptan, por do të kalibrohen.
Pra kalojmë nga përdorimi i çomanges tek ai i bisturisë.
Praktikat funksionuese te maturës, vitin e ardhshëm pas një
studimi do të shtrihen edhe në Provimet e Lirimit të shkollës
bazë dhe në ato universitare.
Gjithashtu modeli i notave te shkallëzuara apo me dy shifra pas presjes
dhjetore, që u përdor në maturë, do të hapë
një debat mbi rishikimin e sistemit aktual.
Edhe për temën e nxehtë të pranimit në universitete
këtë vjeshtë, krahas sistemit klasik të monitoruar fort,
po punojmë për SIPO-n, një sistem online ku çdo kandidat
verifikon në internet pozicionin e tij në renditjen për një
degë në fakultet.
Projekti ynë i Maturës Shtetërore hasi që në fillim
në skeptikë e kritikë. Do t'i ndaja ata në dy kategori:
të parët, ndonëse e përkrahnin në parim këtë
lloj provimi, druheshin se koha e mbetur ishte e paktë. Vërejtjet
e tyre vlejtën, sepse na bënë të punojmë me shumë
se 24 orë në ditë. Kategoria tjetër, është e
atyre që do të humbisnin lopën që milnin përvit,
xhepat e prindërve të maturantëve e studentëve. Me këta
te fundit do të vazhdojmë te merremi.
Matura dëshmoi se kur vullneti i forte i shtetit është i pranishëm,
realizohen ato çka duken si të pamundura. Provimet e kësaj
vere dëshmuan se janë kapacitetet administrative për të
realizuar një operacion që ndër ata që shtrihen ne katërkëndëshin
Koplik –Kukës- Kolonjë- Konispol, është ndër
më të sofistikuarit. Për me tepër gjithçka u krye
me një sens organizimi, disipline, rregulli e korrektese që më
bind mua dhe të tjerë, se mësuesit janë prusianet e shqiptarëve.
Natyrisht qe pati dhe probleme e vështirësi, që u korrigjuan
në proces e sipër dhe ka gjëra që do të përmirësohen
në vitet e ardhshme.
Matura Shtetërore 2006, është padyshim një sukses i rëndësishëm
i Qeverisë, një arritje madhore e arsimit dhe një zhvillim
model për shoqërinë. Për kontributin e tyre unë do
të falënderoja përzemërsisht anëtarët e grupit
që konceptuan maturën në muajt nëntor- dhjetor 2005; Komitetin
e Maturës Shtetërore për këshillën e kujdesin;
Drejtuesit universitarë për mbështetjen e kësaj nisme;
shefat e drejtorive dhe zyrave arsimore ne rrethe dhe bashkëpunëtoret
e tyre për punën e madhe dhe të përkushtuar; Drejtoritë
e Kurrikulës, Inspektimit e Teknologjisë e Informacionit në
ministri për angazhimin e tyre, kabinetin tim për mbështetjen
në punë dhe informimin sistematik të publikut.
Personelin e Qendrës Kombëtare Arsimore të Vlerësimit
të Provimeve që tre herë tok me Përzgjedhësit e Testit
Përfundimtar (PTP) u fut ne izolim me sens te lartë detyre e përgjegjësie.
Do te falënderoja veçanërisht Zv.ministren Gjonaj për
punën me universitetet dhe për sistemin e pranimit në to; të
deleguarin e Kryeministrit Bardhi Musain për kontributin e veçantë
në periudhën kritike të provimeve;
Z Stavri Llambiri për kontributin e veçantë gjatë gjithë
kësaj periudhe nga nëntori deri sot si dhe zv.ministrin Z. Halit
Shamata për punën këmbëngulëse në realizimin
në çdo hap te këtij procesi te vështirë.
Një falënderim për Ministrin e Brendshëm Z, Sokol Olldashi,
Policinë e Shtetit të cilët me sigurinë që ofruan,
ishin kyç në mbarëvajtjen e provimeve.
Dhe së fundmi “last but not least” një falënderim
për z. Kryeministër Sali Berisha, i cili e përkrahu hapur nismën
e Maturës që në fillim të debatit publik për këtë
temë në janar të këtij viti, që zyrtarizoi këtë
përkrahje një muaj më vonë përmes një Vendimi
të Këshillit të Ministrave dhe që mbeti tërë
kohën i interesuar e nxitës për ecurinë e saj. Dhe në
mënyrë te veçantë në fazën delikate të
dy muajve të fundit kur ai u angazhua personalisht që gjithçka
të shkonte mbarë.
Krahas maturës, ne po përmbyllim edhe reformën e liberalizimit
te teksteve shkollore dhe ajo që vërejmë, është që
tekstet sivjet, për të njëjtin çmim, janë shumë
më cilësorë; kjo në sajë të garës e çlirimit
të potencialeve të ndrydhura deri tani.
Është koha për të vijuar me hapa të shpejtë
me reformën e kurrikulës, të trajnimit, të autonomisë
shkollore; për të realizuar TIK-shkollat kudo në vend, sepse
pa kompjuter e internet ne jemi vetëm virtualisht në shekullin 21,
si dhe te realizojmë Masterplanin e shumëpritur në Arsimin
e Lartë.