HOME PAGE

HOME PAGE KTHEHU TEK MATURA


Matura Shtetërore, akt reformues i shkollës sonë

Një nga shqetësimet e mëdha aktualisht për grupet e interesit në shkollë është Matura Shtetërore.
Aplikimi i praktikës së Maturës Shtetërore në shkollat tona të mesme këtë vit ka shqetësuar maturantët,
prindërit e tyre, mësuesit, drejtuesit e shkollave të mesme, drejtuesit e institucioneve arsimore.
Ky shqetësim është i natyrshëm sepse do të zbatohet për herë të parë një formë tjetër vlerësimi
për maturantët dhe një formë tjetër pranimi në universitetet e vendit. Në fakt Matura Shtetërore
do t’i kthejë dinjitetin e humbur të gjithë hallkave të sistemit tonë arsimor. Tani e tutje cdo
nxënësi që synon të shkojë në universitet do t’i duhet të punojë shumë që në ciklin e ulët të
shkollës 9 vjecare e deri ditën e dhënies së Maturës Shtetërore. Ndryshe ky nxënës do të dështojë
në provimet e kësaj Mature dhe nuk do të mundë të shkojë në universitet. Provimet e Maturës
Shtetërore kërkojnë formim në lëndët që do të jenë provim i detyruar dhe në ato me përzgjedhje.
Indiferenca në orët e mësimit është me pasoja të pariparueshme që në klasat e 9 vjecares.
Largimi nga orët e mësimit në shkollën e mesme, dukuri mjaft shqetësuese deri sot, do të shmanget,
sepse është i sigurtë dështimi në Maturën Shtetërore. Po kështu do t’i kthehet dinjiteti i humbur edhe
universiteteve, sepse në shkollën e lartë do të shkojnë ata nxënës që kanë një formim për të qënë studentë,
jo si deri tani, kur në degët më të preferuara nuk shkonin nxënësit me formimin më të mirë,
por ata që nuk kishin asnjë lloj formimi, por prindërit e tyre kishin aftësi të mirë paguese të komisionet e pranimit.

Me futjen e krediteve të notës mesatare të shkollës së mesme, kjo merr rëndësinë që i takon.
Kërkesat e shkollave të larta për kandidatët me më shumë kredite në lëndët e përcaktuara
nga fakultetet do të rrisë mjaft ndjenjën e përgjegjësisë te prindërit, nxënësit dhe mësuesit.
Provimet e Maturës Shtetërore do të ndalin vërshimin e atyre nxënësve me formim të
dobët në shkollën 9 vjecare dhe do t’i drejtojë ata drejt shkollave profesionale.

Për shkak se zbatohet një praktikë krejt e re në shkollat tona të mesme dhe pranimi në universitet,
është i ligjshëm shqetësimi i prindërve , nxënësve dhe gjithë grupeve të interesuara.
Nxënësit e zellshëm që kanë punuar sistematikisht janë të privilegjuarit e Maturës Shtetërore.
Ata nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen, përkunrdazi. Duhet të shqetësohen nxënësit që
nuk kanë punuar gjatë viteve, nxënësit që i kanë mbushur regjistrat dhe dëftesat me nota fictive,
ata që janë larguar nga orët e mësimit, ata që janë diferencuar padrejtësisht nga mësuesit etj.
Të hollat e hequra mënjanë nga prindërit për të marrë të drejta studimi duke paguar
nën dorë zhvleftësohen nga Matura Shtetërore. Ata prindër duhet të jenë vërtetë të shqetësuar.

Yzedin Hima

 

NE KRYE